e enjte, 19 shkurt 2009

TRAGJEDI NË NJË FAMILJE

TRAGJEDI NË NJË FAMILJE
Dhe, derisa unë po mendoja një polic që na rrinte pas shpine, tri herë me revole shkrepi në trupin e djalit tim të vetëm. Klitha aq shumë, sa s'di si nuk u shembën malet, si nuk e dëgjoi zoti klithjën dhe dhembjen time. Djali ra përtokë dhe vdiq duke më shikuar, sikur kërkonte ndihmë nga nëna, e unë isha aq e pafuqishme. "Ato ditë kur nisi lufta, aq shumë isha e shqetësuar, sa kishte ditë të tëra që i kaloja me lotë e vajë. Burri im, as nuk shkonte t’u bashkangjitej radhëve të ushtrisë sonë, as nuk na nxirrte nga fshati. Fëmijët si fëmijët, kur dëgjoheshin të shtëna nga armët e rënda frikësoheshin, se shkrepjet automatike më nuk u bënin përshtypje, luanin si të mos ndodhte asgjë. Unë, si nënë që isha, përveç frikës nga ajo që dihej e shihej, frikësoshesha për fëmijët. Kishte netë që, kur fillonin luftimet dhe dëgjoheshin të shtënat, detyroheshim t’i merrnin fëmijët ashtu fjetur sic ishin ata e të iknim në malin më të afërt. Nuk më hiqeshin lotët nga fytyra. O zot, sa lotë që derdha dhe lutja ime e vetme ishte që të mos shoh kurrë të mu ndodhë ndonjë e keqe fëmijëve të mi. Kur m’u plagos Nora, vajza e vetme, s'di si nuk vdiqa nga dhembja, ndërsa motra ime me thoshte: Tani e ke vajzën trembëdhjetë vjeçe dhe më mirë një plumb se të ta dhunojnë serbët, prandaj ki mendjën, kujdesu që, për të gjallë kurrë të mos bie në dorë të armikut. Madje, ia pata parë për të madhe nënës sime, kur më tha: "Unë e dëshiroj vdekjen e fëmijëve të mi, e jo të më bijnë në dorë të shkaut, se unë e di çka bën shkau". Dhe, derisa unë po ballafaqohesha me problemet e vajzës, ditët iknin e burri im, si grua e ligë, kishte ditë që nuk dilte as për dru. Kisha katërmbëdhjetë vjetë martesë me të dhe kurrë nuk më ishte dukur më i marrë. Kur e nxorën vajzën e plagosur nga Kosova, qeshë liruar dhe djalit nëntëvjeçar i thashë, para burrit: "Biri im, sikur të ishe pak më i madh e të rreshtoheshim në radhët e UÇK-së, atje do të ishim më të sigurtë dhe vetëm atje do të mund t’i shërbenim atdheut’. Djali ia kishte thënë të jatit, ndërsa ai më tha: "Ti mund të shkosh, unë dua të vdes këtu, unë s’jam i pushkës, do të rrij të vritëm si qyqar, e ti nëse shkon, nuk je më gruaja ime". Që nga ajo ditë, aq shumë më kanë munduar fjalët e tij, por llogaritja se zoti s'do të ma kthente shpinën. Dhe kisha gabuar. Janari i 99-tës, filloi me luftime të rrepta. Ne mbetëm në fshat me dy tri familje tjera edhe kur policët na u afruan disa kilometra, e luta të tërhiqeshim, por ai tha: „Unë e djali do të mbesim këtu.Nuk ta lëshoj djalin të ma marrësh, për shkak tëndin që po lëvizje të merrje dru, m’u plagos edhe vajza". „Po kush do të duhej t’i sillte drutë, çka do të haje ti dhe fëmijët", e pyeta ashpër dhe u shkreha në vaj. Mendova disa orë se ndoshta është më mirë që mos t’i kundërshtoj, jam grua dhe pika e fundit, nuk mund ta diktoj burrin, ndaj edhe heshta. Në mbrëmje, plumbat na vinin nga të gjitha anët, nuk mbeti asnjë mur pa u shpuar, por zoti ndoshta deshi të mos vdisnim aty. Kur u qetësuan pak gjuajtjet, mendova se po shpëtojmë, por ata na kishin rrethuar.Burri im, kur i vërejti shkoi dhe hyri në kotec të pulave, ndërsa unë e djali vetëm po rrinim të heshtur. Kur njeri nga ata erdhi dhe i ra derës me këmbë, e kapa djalin për dore dhe i thashë: "Bir, çka do që të ndodhë, përpiqu që të shpëtosh, unë mjaft kam jetuar". Ai qante dhe nuk ma lëshonte dorën, policia na nxori të dyve në mes të oborrit e brenda po kontrollonin mos po gjenin gjëra të vlefshme. –"Ku e ke burrin? Nëse nuk na jep para dhe ar, do të ta vrasim djalin. U përpoqa ta gjej pak ar, që e kisha, për ta shpëtuar djalin, por burri i kishte marrë të gjitha me vete, edhe paratë edhe arin. I ke edhe dy minuta, o arin, o djalin, më kërcënoheshin policët. Ai (burri), në kotec, nuk bënte zë, e donte shpirtin e vet më shumë se djalin. Unë mbeta në mes të oborrit, të shkoja te ai frikësohesha se do të ma vrasin djalin, të mbetesha s'kisha para. Dhe, derisa unë po mendoja një polic që na rrinte pas shpine, tri herë me revole shkrepi në trupin e djalit tim të vetëm. Klitha aq shumë sa s'di si nuk u shembën malet, si nuk e dëgjoi zoti dhembjen time.
Djali ra përtokë dhe vdiq, duke më shikuar, sikur kërkonte ndihmë nga nëna, e unë isha aq e pafuqishme. Dhe, kur mendova se do të shkojnë, njëri nga ata erdhi dhe m’i lidhi duart prapa. E pashë burrin tim tek po shikonte dhe ende qëndronte pa lëvizur aty. U ngrita pak dhe e mallkova, por polici që nuk po kuptonte çka thashë më ra me këmbë, e unë u rrokullisa disa metra më poshtë. Ata folën diçka, që unë nuk e kuptova dhe njëri nga ata u vërsul mbi mua. M’i shqeu të gjitha rrobat që të më çnderonte. Burri im ende vazhdonte të shikonte herëpashere, e unë nga dhembjet s'kisha më zë as të qaja. Më kujtohet që kur m’i zgjidhën duart, me një copë druri i rashë njërit nga policët, por nga aty munda të ikë, vetëm disa metra më tutje ngase aty kishte pasur edhe shumë policë të tjerë. Edhe disa nga ata, me radhë, kanë luajtur me trupin tim derisa e kam humbur vetëdijen. Disa ditë më vonë, më kishin marrë disa banorë të një fshati të afërm për t`mi mjekuar plagët që m’i kishin shkaktuar me thika në trupin tim. Gjatë gjithë kohës së bombardimeve vëllai dhe nusja e vëllait më bartën nga mali në mal për t`me shpëtuar të gjallë. Katër ditë pasi përfundoi lufta, vëllai tjetër, i cili kishte dëgjuar se me kanë vrarë, erdhi bashkë me burrin tim dhe pasi më shikoi, më tha: "Më mirë të kishe vdekur, tani je pa fëmijë dhe pa burrë, është dashur ta vrasësh veten, je fajtore që të dhunuan serbët". "Unë fajtore! Ngase ti i more paratë dhe nuk ua dhe barbarëve ta shpëtosh djalin tënd, unë fajtore që ti nuk na le të dalim nga fshati edhe atëherë kur të gjithë e shifnim rrezikun",-pyesja dhe qaja. –"Motrën tënde e dhunuan ushtarët serbë dhe unë s'mund ta kem më grua", -i tha ai vëllait tim dhe eci, për të mos u kthyer kurrë më, -përfundon rrëfimin e vet R.R., nga një fshat i Therandës.

0 komentet:

Posto një koment

JU LUTEM LINI KOMENTET TUAJA KETU PA NDONJE FYERJE,FALEMINDERIT DHE RESPEKT NGA LORA.