NË VEND TË PARATHËNJËS
Pse u detyrova që t’i botoj rrëfimet e femrave të dhunuara? Njëra nga arsyet kryesore është se e vërteta mbi këtë kapitull mbase më të dhëmbshmin dhe më të ndjeshmin në tërë periudhën e luftës së fundit në Kosovë, po mbetet nën hije dhe se kjo e vërtetë duhet të plasohet në opinion sado e dhimbshme dhe e rëndë të jetë ajo. Zaten e vërteta gjithmonë është e dhimbshme dhe e rëndë, e posaçëisht kur flitet për plagën më të madhe të çdo lufte, për dhunimet. Dhunimet ndodhin në çdo luftë dhe çdokund konsiderohen si krimi më i rëndë i saj. Edhe në te tri luftërat e fundit që ndodhen ne rajon, barbarët serbë ushtruan dhunime të papara, në Kroaci, Bosnje dhe së fundi edhe në Kosovë.Pra edhe në Kosovë përveq vrasjeve, dëbimeve, djegieve, rrënimeve,plackitjeve,kidnapimeve e burgosjeve ata bënë edhe dhunime.Dhunimet janë të rënda për çdo popull në botë e posaçerisht për popullin tonë sepse morali është pjesa më e ndieshme e qenjes së tij. Gjatë punës sime në teren kamë parë nga afër se sa të renda janë përjetimet e të dhunuarave, sa e rëndë është kjo për familjet e tyre, për rrethin dhe për çdo shqiptar. Njerëzit në Kosovë, nga më të rendomtët e deri tek pushtetarët e saj, iu shmangen dhe bishtërojnë bisedave rreth dhunimeve! Unë i kuptoj kosovarët pse nuk flasin, nuk shkruajnë dhe nuk bëjnë gati asgjë për ti zbuluar dhunimet! Por nuk i kuptoj ndërkombëtarët që veprojnë ne Kosovë dhe e di se marrin donacione te majme për këtë punë dhe nuk bëjnë asgjë as për ti zbuluar dhunuesit e as për ti ndihmuar femrat e dhunuara. Arsyeja tjetër që me shtyri ta botoj këtë libër me rrefime tronditëse të disa femrave të dhunuara është sjellja e palejueshme e ayre që janë të thirrur të bëjnë diçka në këtë drejtim! Ata sillen sikur këtu nuk kanë ndodhur as luftë, as vrasje, as djegie e plackitje as dhunime, as asgjë prej gjëjë. Ose edhe më keq, sillen sikur dhunimet kanë ndodhur diku tjeter, e jo këtu, para syve tanë dhe të botës!!! Sot në Kosovë ka femra te cilat pas përjetimit të dhunimit ndodhën në gjendje shumë të vështirë psiko-fizike dhe materjale! Këto femra kanë nevojë për përkrahje, qoftë morale dhe materjale. Ato duan trajtim të vazhdueshëm dhe përkujdesje mjekësore. Askush nuk bën asgjë për To. Asgjë për këto femra nuk ndërmerr as Tribunali i Hagës punën e të cilit në Prishtinë "e kryen" hetuesja ndërkombëtare e cila ka vetëm një detyrë: ti zbuloi dhunimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Ajo që kosovarët do te duhej ta dinin është se në Hagë kanë dëshmuar dhe do të dëshmojnë edhe shumë boshnjake të tjera të dhunuara gjatë luftës në Bosnjë. Një gjë të tillë do të duhej bërë të mundur edhe femrave kosovare. Atyre pra duhet dhënë rasti që para Tribunalit të Hagës t`i denoncojnë kriminelët serbë. E di dhe i kuptoj femrat që e kanë të vështirë ta bëjnë këtë, por një gjë duhet ta kenë të qartë: se krimi nuk mund dhe nuk duhet të fshehet sepse ato do të detyrohen një ditë që vetë ta thonë të vërtetën, sepse kjo nuk mund të mbahet e fshehur përgjithmonë. Është në të mirën dhe interesin e tyre dhe prandaj ato duhet të rrëfehën sepse vetëm në atë mënyrë mund ta nxjerrin helmin që mbajnë në shpirt.Për ato plagë që i bartin më vete, të dhunuarat, duhet që, në radhë të parë, vetvetiu të përpiqën të gjejnë sherim sepse gjendja e tyre shëndetësore dhe shpirtërore mund të mbetet me pasoja aq më pare kur dihet se atyre u mungon edhe perkujdesja më elementare profesionale dhe institucionale! Dhe vërtetë; si do sherohet një 14 vjeçare e dhunuar dhe ta dojë sërish jetën? Si të pajtohet me fatin një e re të cilën e ka braktisur i fejuari vetëm pse e dhunuan barbarët serbë? Si do të pajtohet me fatin e hidhur një nënë e re e cila pas përjetimit të dhunimit ka dështuar së linduri dhe nuk do të mund të lind kurrë më fëmijë? Si do të sherohet nëna e cila nuk mund të këthehet tek fëmijët e sajë sepse barbarët e dhunuan në sytë e tyre dhe të anëtarëve të tjerë të familjes? Si mund t’i harrojnë të gjitha këto femrat e dhunuara pa ndihmën e gjithmbarshme të shoqërisë kosovare? Si, si…??? Ndoshta kurrë nuk do t’i botoja këto rrëfime sikur të mos më thoshte një e dhunuar në një
mëngjes se ato përveq së janë të dhunura janë edhe të braktisura dhe të fyera. Kur unë u përpoqa ta ngushëlloj, ajo më pëshpëriti:" ne që jemi dhunuar dhe sot vuajmë jemi morali dhe pamorali i të gjithë kosovarëve! Edhe kur jemi në mesin e të gjallëve, ne, sërish ndjehemi te vdekura! Edhe kur ecim rrugës, e ndjejmë peshën e dhunimit, e shofim atë në sytë e njerëzve, të cilët, ndoshta, kurrë nuk do të mund ta imagjinojnë së çfarë kemi perjetuar. Ne jemi plaga e çdo njeriu , vuajtja dhe mungesa e çdo fëmiu. Edhe kur njerëzit qeshin, pa kujtuar fare së ne ekzistojmë, ne mendojmë së ata qeshin dhe tallën me tragjedinë tonë. Edhe kur lotojnë, shajnë e pështyjnë edhe atëherë ne jemi pjesa më e dhëmbëshme dhe më tragjike… Ne sot jemi të braktisura, dhe pesha e çdo gjëje që po ndërtohet në Kosovë rëndon mbi ne! Ne jemi gjaku, pluhuri dhe pështyma e djeshme e sotme dhe e nesërme e Kosovës andaj dikush duhet ta ngre zërin për ne. Po ta them, ngase ti mund ta bësh këtë, sepse ti cdo ditë mjekon plagët tona. Dhëmbja jonë do të ishte akoma më e madhe po ta bëntë dikush për tallje apo përfitime…" me tha duke dashur që plagët e saja dhe të të tjerave të jenë ndërgjegjësim për ne të gjithë. Duhet ta dimë të gjithë se liria e ka çmimin e lartë dhe se nje hise të madhe të atij çmimi e kanë paguar edhe viktimat e dhunimit. Ata që sot shkelin mbi varret e tyre (sepse shumë nga të dhunuarat mëpastaj edhe janë vrarë e masakruar ) ,ata që sot shkelin mbi plagët, dhembjet, lotët dhe tragjedinë e këtyre femrave, duhet ta dinë mirë se ato janë pasqyra dhe fytyra e vërtetë e kosovarëve, duhet ta dinë se shkelin mbi pjesën më të dhëmbëshme të lirisë së Kosovës. Turpi iu mbetet vetëm atyre që e shkelin dhe përbuzin viktimat e kësaj tragjedie të hidhur. Le të kujtojnë vetëm njëherë se si do t`iu dukej sikur kjo t`iu kishte ndodhur atyre më të dashurave, nënave, motrave, grave apo vajzave të tyre të cilat i duan më shumë se sytë e ballit! Duhet ta dimë të gjithë së ato kërkojnë ndihmë, përkrahje dhe trajtim të përditshëm mjekësor, profesional dhe institucional. Le të jetë ky libër vetëm një përpjekje modeste për të zgjuar interesimin dhe përkushtimin më të madh jo vetëm në zbardhjën e të gjitha rasteve të dhunimit por edhe në trajtimin adekuat të viktimave. Mbase do ndeshëm në thumb të kritikave të llojeve e natyrave të ndryshme por konsideroj së e vërteta sado e hidhur të jetë duhet të dalë në dritë në mënyrë që të mos harrohet as përseritet kurrë më. E bashkëndjejë dhembjën me të gjitha ato motra të mia nëse sadopak ua kamë lënduar shpirtin duke ua rikujtuar sërish të kaluarën e hidhur për çka paraprakisht iu kërkoi falje dhe mirkuptim.
Autorja
e enjte, 19 shkurt 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
0 komentet:
Posto një koment
JU LUTEM LINI KOMENTET TUAJA KETU PA NDONJE FYERJE,FALEMINDERIT DHE RESPEKT NGA LORA.