e enjte, 19 shkurt 2009

RRËFIME QË TË MBULOJNË ME TRISHTIM E PIKËLLIM

Recension: nga Azem Azemi
RRËFIME QË TË MBULOJNË ME TRISHTIM E PIKËLLIM
Këtij libri specifik të këtyre rrëfimeve tronditëse, s’duhet shtuar absolutisht, kurrfarë parathënie e as pasthënie. Këto rëfime flasin vetë. Me gjuhën më të pastër , me argumentin më të vrazhdtë, flasin me shpirtin e vrarë të një femre,të një nëneje,të një motreje, të një të fejuareje, të një nuseje. " Fytyrën e zotit do ta shohësh , kur të mos jesh më në jetë " po shkuante në Bibël. Edhe këto femra më s’kanë çka të fshehin. I kanë përjetuar të gjitha të ligat që mund ti bëjë qenja apo antiqenja njerëzore.Kanë prekur fundin e detit dhe kulmin e qiellit. I kanë parë të gjitha, i kanë dëgjuar të gjitha. Ua kanë vrarë shpirtin , prandaj s’është rastësi kur me ngulm kërkojnë që ti lëmë të qeta në bërjen edhe të gjysmës së rrugës tjetër, vdekjen e trupit. Ato, më mirë e kërkojnë vdekjen komplete se gjysma-gjysma. Dhe absolutisht nuk kanë të drejtë. Sepse, a jeton njeriu vetëm për vete? A nuk kanë shumica e tyre fëmijë , për të cilët vlen secila sakrificë? A s’është ky shkrim (libër)shkrim shërim për to, vuajtje jona, e turpi ynë lehtësim për to? A s’jemi dhunuar të gjithë me dhunimin e tyre? Edhe nënat tona , edhe motrat tona edhe nuset tona? Edhe ne vëllezërit e tyre, edhe ne bijtë e tyre, edhe ne burrat apo burrecat e tyre? Dhe ato e dinë këtë ,dhe janë të forta, sikurse i dinë dhe sakrificat e atykëtushme të njerëzve tanë, të njerëzve të thjeshtë, burra e gra për ndihmën e dhënë atyre në fotografinë e familjes nga Peja, fytyrën e "mjekes së re" që sakrifikon çdo gjë për ti ndihmuar fatëkeqes së lënduar (edhe fizikisht). Prandaj, ylberi është shumëngjyrësh. Edhe jeta. Edhe njerëzit,edhe këto rrëfime të cilat marrë veç e veç secili e përballon peshën e një skenari filmik, për t’mos u harruar. Ky libër dëshmon se këto qenie të lënduara, nuk janë edhe të lëna terësisht në harresë. Borgjet janë të shumëta të secilit prej nesh. Pa dyshim vlen të përmendet me këtë rast, puna e palodhshme, por edhe inventive e gazetares së vyeshme, autores së librit, Luljeta Selimi, e cila edhe në rastet e tjera ka dëshmuar përkushtim në hulumtimin e fateve (tragjike) njerëzore sidomos të femrës. Bie në sy një sintaksë e rrjedhëshme në rekonstruimin e rrëfimeve me një gjuhë të pastër me plot variacione letrare –artistike. Por medet,vetëm kur të bie ndërmend se fatkeqësia e treguar nuk është krijuar nga mendja e krijueses, por nga dora (gjakatare) e (anti)njeriut. Të rrokë trishtimi për fatet e këtyre njerëzve dhe të rrokë pikëllimi dhe brenga për fatet e të dhunuarave. A thua çfarë përfundime do të kenë ato si njerëz dhe si kolektivitet? Prandaj nevoja që ndërgjegjja njerëzore të jetë e zgjuar gjithmonë, sikurse rojtari –ushtari, sepse e keqja është gjithmonë permanente, gjithnjë e ke afër si jakën e këmishës.

0 komentet:

Posto një koment

JU LUTEM LINI KOMENTET TUAJA KETU PA NDONJE FYERJE,FALEMINDERIT DHE RESPEKT NGA LORA.