e enjte, 19 shkurt 2009

Qyteti pa Reklama-Liber-pjesa e 5

tavolinën e nderit, drejtori i gjimnazit me nja dy të ftuar bënin bisedë mbi
fluturimet kozmike, se si, për çudi, në kohën tonë mund të hash mëngjes në Moskë e
drekën në Tiranë, se si më tepër vonon nga Ura e Lanës në aeroport të Tiranës se nga
Tirana në Pekin etj., etj.
Gjoni gjeti rast të merrte në vallëzim Dianën. Ajo i qëndroi me shumë hundë. Ajo
vazhdimisht vallëzonte me Luan Konomin
-Çudi me juve, - tha ai, - nuk e kuptoj qëndrimin tuaj, unë s'ju kam bërë asgjë të
keqe, apo ndoshta ju kam ofenduar pa dashur? Përgjigjuni së paku.
-Ç'doni prej meje? - tha vajza.
-Të di përse jam fajtor, në qoftë se jam.
Ajo heshti një hop.
-Ju nuk jeni për asgjë fajtor, fajtore jam unë. S'dua të përsëritet një gabim, një
çast dobësie. Dhe ju lutem, mos më thirrni më për të vallëzuar. Qartë?
Gjoni ngeli si i hutuar. Muzika pushoi. Ata u çlidhën. Ai nuk kishte vënë re se si
Stela ndiqte me sy çdo lëvizje të tyre. Tani të dy motrat seç pëshpëritnin.
"Dreqi ta marrë, asgjë s'kuptoj", tha me vete dhe u shti në turmë të kërkonte
Eugjenin dhe Mentorin. Ata pinin konjak në bufe.
Më në fund, pas tri ditë grindjesh, ku u përpoqën si në duel filozofira,
botëkuptime, perceptime të botës, moralë të vjetër e të rinj, citate të marra
andej-këndej, pas ca dyshimesh e lëkundjesh, Gjoni me Mentorin e mposhtën Eugjenin
kokëfortë. Erdhi, më në fund, ajo mbasdite e dëshiruar, kur u mblodhën në dhomën e
Gjonit për të biseduar konkretisht për punën që do të bënin. Përpara kishin për të
zgjidhur disa probleme: e para, të përcaktonin përmbajtjen e tekstit fals dhe
vjetërsinë e tij. Nga këto varej një pjesë e vlerës së dokumentit. E dyta, duhej
rindërtuar me kujdes gjuha e vjetër e tekstit në bazë të lidhjeve të gramatikës
historike. Kjo i përkiste kryesisht Gjonit. E treta, ishte, si të thuash, zgjidhja
teknike e problemit, domethënë shkrimi i tekstit me ngjyrë speciale dhe një nga
punët më të vështira: vjetërsimi artificial i letrës ku do shkruhej teksti. Këto të
fundit i përkisnin Mentorit, si kimist.
-E, si thoni shokë, a do të krijojmë (Gjoni nuk donte të përdorte fjalën
"falsifikojmë") ndonjë dokument që dihet i humbur apo ndonjë dokument të panjohur
fare? Kryesorja është që të ketë vlerë, të krijojë diskutime dhe interes.
-Po ja, për shembull, sikur të krijojmë letrën e humbur të murgut Brokhard, që
vërteton se shqipja ishte shkruar qysh në shekullin XIV, - tha Mentori.
-Si shumë e guximshme, - vërejti Evgjeni, - si thua Gjon, ty të kemi kryetar.
-Kjo është e pamundur. E para, se letra e murgut Brokhard është shkruar në
gjermanishten e vjetër, kështu që duhet rindërtuar një gotishte që edhe gjermanët
vetë e kanë të vështirë. E dyta, dhe kryesorja, është se letra e tij ishte një
raport papës apo perandorit, s'e mbaj mend mirë, i cili duhej gjetur në arkivat e
tyre. Sepse, fundja, s'ishte veçse një kalimtar në Shqipëri. Kështu që do të nuhatej
menjëherë hileja.
-Më mirë ta bëjmë vetë. Ç'na duhet të fusim hundët tek të tjerët. Po sikur të
gjendet pastaj letra e murgut?
Të tre qeshën me fjalët e poetit.
-Unë mendoj kështu, - tha Gjoni. - Krijojmë një dokument, ku të vërtetohet teza e
kryetarit të Akademisë së Shkencave, se toskërishtja është shkruar përpara
gegërishtes. Me këtë rast dokumenti do të ketë vlerë më të madhe, sepse pohon tezën
e kryetarit dhe jeta na mëson që me të mëdhenjtë duhet ta kemi gjithmonë mirë. -
Fjalët e fundit i tha me të qeshur.
-I ke rënë në të, - tundi kokën Mentori.
-Dhe do ta hedhim në baltë profesorin O.B. në lidhje me ca forma të participit të
shqipes së vjetër. Në dokument vemë ca forma, që vërtetojnë të kundërtën e tezës së
tij.
-Ah, jo, jo, veç mos ketë larje llogarish personale, Gjon, - ndërhyri Mentori. - Më
duket se të ka kthyer tri herë në provim dhe...
-Bah, - kundërshtoi Gjoni, - për mua fatet e gjuhës shqipe janë më lart se çdo
ambicje personale.
Eugjeni qeshi me vete. Dhe Mentori qeshi me mend.
-Po mirë, - pyeti ky i fundit, - ç'përmbajtje do t'i vemë dokumentit, ti the se

0 komentet:

Posto një koment

JU LUTEM LINI KOMENTET TUAJA KETU PA NDONJE FYERJE,FALEMINDERIT DHE RESPEKT NGA LORA.