Një prind plak se kë kërkonte. Kujdestarët e klasave kërkonin shkumës dhe
dru për stufat. Ja, u duk fjongoja e bardhë. Stela po vinte. Edhe ajo ishte shumë e
tronditur dhe e frikësuar. Kaloi afër, pastaj befas u kthye me një shprehje pyetëse
në fytyrën e trembur. Gjoni u mundua të buzëqeshte dhe të mbante gjakftohtësinë. Ai
buzëqeshi, po nuk qe gjakftohtë.
-Stela, ju do të jeni në shtëpi sonte pas orës katër? - pyeti me një ton gjysmë
zyrtar.
-Po, - u përgjigj shkurt vajza.
-Dilni në korridor, ju lutem, në orën katër.
Ajo qëndroi dhe një sekondë në heshtje, pastaj iku pa e përshëndetur. Fjongoja e saj
humbi në turmë. Gjoni u çlirua nga një barrë e rëndë.
Në orën katër ruante korridorin e shtëpisë. Stela doli dy-tri herë, por kaloi shpejt
si hije. Ai priti në derën e tij dy orë e ca, koka i dhimbte. Ishte i dëshpëruar në
kulm. Mbaroi periudha e lumturisë dhe erdhën vuajtjet, që shkaktonte dëshira për
takim.
Tri ditë rresht u mundua të kapte çastin e duhur, por s'mundte. Stela trembej shumë.
Edhe ai ruhej. Dëshira për të takuar Stelën, për ta pasur në krahët e tij, kishte
marrë përmasa kolosale, kaq sa dukej gjë e paarritshme. Sikur dëshira të mos ishte
kaq e madhe, Stela nuk do t'i dukej e paarritshme. Por dëshira ishte kolosale dhe
prandaj Stela i dukej ashtu. Ai do të donte që Stela të ishte e arritshme, por nuk
do të donte që dëshira e tij për të të mos ishte kolosale. Ai donte dy gjëra të
kundërta dhe prandaj vuante.
Ditën e katërt arriti ta gjejë vetëm në shkollë.
-Stela, - i foli shpejt e shpejt, - ju po më çmendni, pse më bëni të vuaj?
Vajza ngriti sytë. Sa ishte dobësuar Gjoni ditët e fundit. Edhe ajo ishte hequr ca.
Dashuria po i merrte frymën si një gaz i rëndë. Këto katër netë ajo s'kishte mbyllur
sy dhe ishte dobësuar, por ajo ishte bërë më e bukur. Por Gjoni nuk e dinte këtë. Në
qoftë se ai do ta dinte se ajo ishte bërë e bukur nga vuajtja, ai do të gëzohej dhe
nuk do të vuante. Por ai s'e dinte që ajo ishte zbukuruar nga vuajtja, përkundrazi
mendonte se ajo ishte zbukuruar ngaqë e detyronte atë të vuante.
-Ju pres sonte pas mesnatës, kur të flenë të gjithë, dilni në korridor. E?...
Ajo nuk u përgjigj.
-Stela, - filloi prapë Gjoni.
Poshtë u dëgjua zilja e portës. Vajza vrapoi.
-Do t'ju pres, - pëshpëriti Gjoni.
Gjithë natën ai qëndroi sipër shkallëve. Kjo ishte një torturë e tmerrshme. Çdo
lëvizje minjsh, çdo kërcitje dërrase e trondiste të tërin. Korridori ishte i errët,
i qetë si varr.
Po gdhinte. Atëherë ai mendoi se ndoshta Stela po flinte tani e qetë, ndërsa ai po
torturohej duke u dridhur nga e ftohta. Ah, vajzë e pamëshirshme, përse ta mundonte
kështu? Ç'të keqe i kishte bërë ai? Sa e donte! Kurse ajo nuk prishte, së paku, as
gjumin. Fli, o zemërgure, i thirri pa zë dhe me çapa të vrara ngjiti shkallët dhe ra
pa u zhveshur në krevat. Sa i lodhur ishte!
Të nesërmen ai i shkroi një pusullë dhe ia vuri në librezën e notave: "Stela, ju
pres sonte pas mesnate. M'u përgjigjni, po ose jo. Ndryshe nuk do ta kontrolloj më
veten". Në pushim ia përsëriti me gojë dhe ajo iu përgjigj: "Do të mundohem".
Përsëri një natë torture. Ai pinte cigare mbi krevat, duke u dridhur nga çdo
fëshfërimë. Kishte kaluar mesnata, nervat i ishin tendosur në kulm. Dhjetëra herë iu
bë sikur dëgjonte hapa te shkallët. Ishte era që buçiste nëpër oxhaqet, duke
përplasur shiun xhameve. Ai e kishte provuar gjithmonë në jetë se kur pret diçka në
tension, ajo vjen vetëm atëherë kur e humbet shpresën. Ja, tani ai po mendonte të
humbiste shpresën, ta bindte veten që ajo s'do të vinte. Mirëpo ai e dinte se e
bënte këtë që ajo të vinte. Domethënë ai s'mund ta humbiste dot shpresën gjer në
fund. Kur arrinte ta mbyste shpresën, atëherë qetësohej dhe mendonte "tani e humba
shpresën, ndoshta vjen", këtu befas lindte shpresa. Sikur ta humbte fare shpresën,
nuk i duhej më as qetësia. Edhe këtu ai donte të arrinte dy gjëra të kundërta.
Mirëpo duke mos i arritur dot, vuante.
Këto manovra trunore e lodhën shumë.
Po e kapiste gjumi. Kur, pa e kuptuar ishte në ëndërr apo jo, dera kërciti fare
lehtë. Ai brofi në këmbë.
-Stela!
Po, ishte ajo, e heshtur, e mermertë si një nimfë kishte ngrirë te dera. Ai e
tërhoqi në krahë dhe e përqafoi fort, duke e shtrënguar pas gjoksit të lodhur atë
Page 9
Generated by Foxit PDF Creator © Foxit Software
http://www.foxitsoftware.com For evaluation only.
Qyteti pa Reklama
kokë të bukur. Ishte errësirë. Ai s'dalloi dot vijën e ndarjes së flokëve. Por
aromën e ndjeu më fort.
-Stela, e dashur... e dashur...
Ajo mekanikisht i përkëdhelte kokën me njërën dorë. Ajo u dha e tëra pas
përkëdheljeve, me nerva të shkrehura siç ish, për herë të parë në jetë dhe pa më të
voglin kundërshtim iu dorëzua e gjitha.
Akoma pa gdhirë, me hapa të dridhura, Stela zbriti ngadalë shkallët, shtyu derën
dhe, duke u dridhur nga të ftohtët iu afrua shtratit të gjyshes. Netëve të ftohta të
dimrit ajo flinte me gjyshen, për ta ngrohur atë. Ngriti me kujdes mbulesën dhe
përnjëherësh ndjeu aromën e njohur. Plaka gërhiste lehtë dhe tërë qenia e saj
prodhonte një paqe të lumtur.
Stela u mbështoll me mbulesën.
Jashtë qyteti buçiste nga ujërat që derdheshin e rridhnin nëpër pullaze, përrenj e
vija të pafund. Asaj iu duk se gjer tani nuk e kishte ndjerë gjithë këtë suferinë të
fuqishme. Asaj iu duk se e dëgjonte për herë të parë.
Si oshëtin çdo gjë. Sa çudi! - mendoi ajo e lodhur.
e enjte, 19 shkurt 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
0 komentet:
Posto një koment
JU LUTEM LINI KOMENTET TUAJA KETU PA NDONJE FYERJE,FALEMINDERIT DHE RESPEKT NGA LORA.