e enjte, 19 shkurt 2009

Qyteti pa Reklama-Liber-pjesa e 1

Qyteti pa Reklama (Kreu XIV)
-Kanë dy ditë që rrinë gjer natën vonë, seç kanë, zihen, hahen, djem të rinj, - tha
nëna e Stelës, duke trazuar prushin e mangallit.
Dy motrat shikuan njëra-tjetrën pa folur. Kur nëna doli jashtë, Diana pyeti:
-Si duket ky mësuesi i ri?
Stela uli sytë.
-Ku di unë?
-Ai është simpatik.
-Mua s'më duket dhe aq. Megjithëse Shpresa e klasës sonë s'e heq nga goja. Si s'ka
turp edhe ajo.
-E pse të ketë turp?
-Ua, po për profesorin a mund të...
Diana qeshi me të madhe.
-Sa budallaqe bëhesh moj Stelë, eh... - ajo psherëtiu lehtë, duke ia ngulur sytë
motrës. Sa e bukur ishte Stela! Tre vjet më parë, kur Diana iku jashtë shtetit, e la
motrën akoma vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare, të hollë, sikur do thyhej. Kurse tani, duke
vështruar sytë e saj butësisht të errët, gjinjtë e rrumbullakët, format e belit dhe
të këmbëve, qafën e bardhë, të lëmuar, ajo thoshte me vete: Jo s'mund të jetë
engjëll Stela. Si i mban gjunjët dhe si vështron. Këto tre vjet ndarjeje e kishin
larguar Dianën nga e motra. Pastaj, të dyja kishin ndryshuar shumë. Ja, edhe ajo kur
u nis jashtë shtetit ishte sa Stela, veç jo kaq e bukur, megjithatë, simpatike, bile
shumë. Ajo atëherë ishte vajzë e paputhur, kurse Stelës i dukej motra e mbështjellur
me një vello misterioze, me atë avullin e përshkuar nga reflekset e reklamave të
qyteteve të mëdha jashtë shtetit. Sa kishte treguar Diana atë ditë për bulevardet e
mëdha, dritat, restorantet, dancingjet. Diana kishte qenë në ato lokale kishte
vallëzuar, kishta dalë për krahu me djem. Po sepse i vinte rëndë Stelës që ta pyeste
me hollësi.
-Po ti? - ja preu mendimet e motra, - a ke ndonjë djalë?
-Jo, - u përgjigj Stela.
Ato prapë vështruan njëra-tjetrën në sy. Sytë e Dianës shkëlqenin si një dritare
kujtimesh, kurse ato të Stelës qenë të menduar, të përshkuar nga kureshtja e jetës
që s'e njihte. Sa ishte rritur Stela! Jo, jo, ajo s'ishte aspak engjëll dhe, si për
të pohuar këtë mendim të fundit të së motrës, papritur Stela pyeti:
-Po ti Diana ke shëtitur me djem atje?
-Posi.
-Po ke dashuruar?
-Eh, si të them. Ndoshta më është dukur. Po atje s'është si këtu. Çdo vajzë ka shumë
djem dhe çdo djalë, gjithashtu. Një herë me njërin, një herë me tjetrin... Prit pak,
tani do të të tregoj. - Diana u ngrit tërë gjallëri që, më në fund, gjeti një njeri
që mund t'i tregonte jetën jashtë shtetit. Ajo hapi një nga valixhet e saj dhe nxori
një çantë të zezë.
-E shikon këtë? Këtu janë telefonat e të njohurve që kam, sipas emrave. Këtu janë
shënuar takimet, ja lexo.
Stela u afrua. Ishte një ditar në shkruar në gjuhë të huaj.
-Po ta përkthej. E enjte 14, Roberti në Metro "Orion". E shtunë 16, Viktori përpara
kafe "Mjellmës" etj.
Stela nguli sytë mbi ato emra të shkruara pa kujdes dhe seç ndjeu në zemër. Një
fletë e vogël dhe sa jetë e madhe. Si ishte vallë ajo metro "Orion" apo kafe
"Mjellma"? Sigurisht, atje në metro "Orion" digjeshin drita të çuditshme dhe
njerëzit vraponin, vraponin. Dhe atje prisnin djem duke pirë cigare. Ata prisnin
vajzat e tyre. Ato pastaj vinin dhe ata hidhnin cigaren poshtë. Përdhe
grumbulloheshin shumë cigare. Djemtë gjithmonë pinë cigare kur presin. Për çdo vajzë
kishte aq bishta cigaresh për tokë. Pastaj të gjithë iknin dhe përdhe zbardhnin
bishtat e cigareve.
-Më trego dhe fotografi.
-Tani.
Diana hapi një çantë tjetër. Një grusht zarfesh e fletësh shkruar në gjuhë të huaja.
Pastaj fotografitë. Stela i shikoi me rradhë, duke ndjerë në shpirt një dhembje të
fshehtë.
-Sa i bukur ky djali!
-Ah, ky më telefononte gjithmonë në mesnatë. Më zgjonte nga gjumi. Sa budalla!
-Po këtu, ku jeni?

0 komentet:

Posto një koment

JU LUTEM LINI KOMENTET TUAJA KETU PA NDONJE FYERJE,FALEMINDERIT DHE RESPEKT NGA LORA.